Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën hapëse në “Europe House” ku u zhvillua”Forumi i Tiranës për ndërlidhjen infrastrukturore”. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqipare u shpreh se zgjerimi është përherë e më pak retorikë e Bashkimit Evropian. Kryeministri tha se qëndrimet e vendeve të BE lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet në këto vende. Rama iu rrëfeu të pranishmëve se gjatë këtij procesi ka arritur të mësojë edhe formulën sesi të dallojë cili do të jetë qëndrimi i vendeve të BE përsa i përket zgjerimit.
PJESE NGA FJALA E RAMES:
Kjo është arsye pse disa vende skeptike janë shumë më të hapura ndaj idesë për të nxitur bashkëveprimin rajonal. Kam mësuar si të kuptoj dhe llojin e qendrimit në raport me zgjedhjet. Nëse doni të kuptoni qëndrimin e disa vendeve, shihni kalendarin e zgjedhjeve në këto vende. Thënë e gjithë kjo, ndërgjegjësimi dhe vetëdija është gjithmonë e më e lart për rëndësinë që Ballkani Perëndimor ka për arsyet politike dhe për vetë arsyen për të mbrojtur Evropën nga Emigrancioni i Paligjshëm. Ballkani Perëndimor duhet të ndihmohet më shumë në procesin e transformimit. Një prej instrumenteve të rëndësishme që BE dhe KE kanë identifikuar si motor është edhe plani ekonomik i investimeve, që është mjaft ambicioz. Shumë sfidues. Lidhet me një vlerë të konsiderueshme parash dhe lidhet me kapacitetet jo vetëm për të parashikuar por edhe për të punuar së bashku në projektet që do të financohen për më shumë ndërlidhje, në infrastrukturë, rrugë e hekurudha. Nëse BE nuk realizon zgjerimin duhet të shohë mënyrat të tjera për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri u ndal edhe tek kriza energjitike dhe i kërkoi BE-së që të mos i kthejë kurrizin Ballkanit Perëndimor siç ndodhi me pandeminë COVID19 dhe vaksinat. Rama foli edhe për Ballkanin e Hapur, që e quajti si njësi të Zbatimit të Procesit të Berlinit. Por sipas Ramës, procesi i Berlinit ka një problem që lidhet me autorësinë, që sipas tij është jashtë Ballkanit.
Edicioni i 7-të i Forumit të Ndërlidhjes Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor po mbahet sot dhe nesër në Tiranë. Në fokus të Forumit janë përpjekjet e përbashkëta mes vendeve të Evropës Juglindore për tu rimëkëmbur pas pandemisë Covid19.