Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar listën e te gjithë personave te cilëve i’u është refuzuar viza nga SHBA gjatë vitit 2021. Të gjithë personat dhe anëtarët e familjes të tyre për të cilët Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka informacion të besueshëm se janë përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion, i janë dërguar Kongresit Amerikan. Lista është publikuar edhe nga ambasadorja Yuri Kim në Twitter. “Departamenti i Shtetit i raporton Kongresit në lidhje me personat e caktuar për korrupsion të rëndësishëm”, shkruan Kim.
Në listë është publikuar edhe emri i Sali Berishës dhe familjarëve të tij, Liri Berisha dhe dy fëmijëve Shkëlzen dhe Argita Berisha. Njoftimi është publikuar në faqen e DASH , së bashku me emrat e personave të tjerë të shpallur “non grata” në botë, të cilët akuzohen për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Sipas kësaj liste të DASH, në harkun kohor të 8 muajve, SHBA ka shpallur “non grata” 68 shtetas të huaj nga e gjithë bota. Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri me dije më 19 maj se ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij janë futur në listën e zezë nga SHBA.