Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i shpallur në kërkim ndërkombëtar është bërë ‘i gjallë’. Gazetarja Klodiana Lala raportoi mëngjesin e sotëm se Llalla kërkon që të pezullohet ekzekutimi i vendimit që është marrë ndaj tij, dënimi me dy vite burg për fshehjen e pasurisë. Kërkesa e tij, është depozituar nga avokati Sokol Hazizaj. Kërkesa do të hidhet në short në ditët në vijim nga Gjykata e Posaçme. Sipas kësaj kërkese, Llalla nuk mund të qëndrojë në qeli për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, për të cilën avokati i tij, është shprehur ditë më parë se vuan nga një sëmundje e rëndë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tashmë e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Adriatik Llallën.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me dy vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste. Por vetë ish-kryeprokurori ka braktisur Shqipërinë dhe është larguar jashtë vendit prej më shumë se një jave ku mësohet se po merr ndihmë mjekësore. Zyrtarisht asnjë institucion nuk di të përgjigjet se ku gjendet ish prokurori i përgjithshëm, ndonëse zëra të pakonfirmuar tregojnë se po kurohet në Zvicër, por edhe në Hungari.