Kryeministri Edi Rama është duke prezantuar Planin e Qeverisë për mbrojtjen nga kriza energjetike. Po ashtu ai shpjegoi pse pensionet nuk mund të rriten në 300 mijë lekë dhe rroga minimale në 500 mijë.
Edi Rama: Disa thonë bëjeni rrogën minimale 500 euro dhe pensionet 300 euro, por si bëhen këto?
Nëse ne e rrisim pensionin jo 300 euro, por 300 mijë lekë në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda dy viteve do pranonim falimentimin e shtetit dhe që nga koha e Skënderbeut do shikonim çdo të thoshte vërtet të vdesësh për bukë.
Ndërsa pagën minimale 500 mijë lekë, jo 500 euro, do na duhej më pak se një vit të futeshim në krizën më të madhe të urisë në 500 vite histori.
Paratë e pensioneve në një vend rriten njësoj si të ardhurat në një shtëpi. Nuk ka prind në botë që nuk do t’i japë më shumë fëmijës së tij. por nuk ka prind të përgjegjshëm në botë që i jep fëmijës sot atë që duhet për nesër dhe nesër e lë të vdesë për bukë.
Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore, kontributet në vite të atyre që punojnë. Por pa hyrë në historinë e abuzimeve , gropës së madhe të Fondit të Sigurimeve Shoqërore ne në Shqipëri, krahasimisht me të tjerët paguajmë shumë më pak se vendet që i marrim për shembuj për pensionet dhe rrogat.
Që në 2014 ne i kemi ulur taksat dhe tatimet për të ardhurat personale për 97% të shqiptarëve. Falë kësaj ulje ne u kemi lënë familjeve të gjithë atyre që punojnë 1.2 mld në tetë vite, që përndryshe do shkonin në arkën e shtetit si para 2013.
Biznesi i vogël, paguan 0 taksë deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit, dhe 0 TVSH për 100 mijë dollarë në vit, ndërkohë që në 2013 paguante 10% taksë nga 20 mijë dollarë xhiro në vit.
Kjo verifikohet shumë lehtë. Çdo sipërmarrës i vogël e di që ne jemi i vetmi vend në Europë që nuk takson bujqësinë, por vetëm e subvencionon.