Lulzim Basha pak pas mbarimit të mbledhjes së grupit të PD-së, u ndal në një prononcim për mediat, ku duke marrë shkas nga situata e paralajmëruar nga Edi Rama se vendi do të goditet nga një krizë energjetike, Basha theksoi se bëhet fjalë për një krizë korrupsioni.
Sipas Lulzim Bashës, pak muaj më parë energjia u shit me 1/3 e çmimit që do të blihet sot, ndërsa shtoi se shumë zyrtarë duhet të ishin para drejtësisë.
“Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës. Jo vetëm rendi i ditës, por edhe gjendja që ka pllakosur në vend janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike por me një krizë korrupsioni. Ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani energjia, pasuria hidrike e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Që ta blejnë do iu duhet të marrin borxh, borxhin do e nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve. Kjo është arsye pse është krizë korrupsioni.
Në një vend normal, me institucione normale sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht tek drejtuesit famëkeq, nga Çela i Durrësit etj, do duhej të ishin të pandehur. Ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit në fundjavë, por të bëjnë detyrat e tyre, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Për ne do të vazhdojë kjo javë me një ofensivë që do ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni po përkthehet në një krizë për familjet”, tha Basha.