TIRANË– Partia Demokratike ka njoftuar se Flamur Noka është shkarkuar nga funksioni i tij si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë. Bazuar në njoftimin zyrtar të publikuar nga Partia Demokratike, Lulzim Basha ia ka komunikuar vetë shkarkimin Nokës, duke i dhënë edhe lajmërimin e fundit duke e kërcënuar për përjashtim edhe grupi parlamentar i PD-së. Po ashtu në sqarimin e bërë për publikun, bëhet me dije se arsyeja e këtij vendimi janë akuzat që Noka ka bërë javët e fundit ndaj kreut të Partisë Demokratike, që sipas Bashës janë të paqena.
NJOFTIM PER SHTYP I PARTISE DEMOKRATIKE
Sot Kryetari i PD Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar. Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama.
Po çfarë ka bërë Noka javët e fundit që u “ndëshkua” sot nga Basha?
Flamur Noka ishte një nga deputetët e parë që doli kundër Bashës pasi ky i fundit përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së, liderin historik të demokratëve Sali Berisha. Vendimi për Berishëm u mor një ditë parë se të niste Kuvendi, rreth 3 muaj pasi Berisha u shpall “non grata” nga DASH. Që nga vendimmarrja e Bashës, Noka ka qenë një nga zërat kundër ndaj kryedemokratit duke shoqëruar Berishës në takimet që ai po zhvillon për të mbledhur firmat e demokratëve për të thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm.
Përplasja më e fundit mes Nokës dhe Bashës, ndodhi në mbledhjen e sotme të Kryesisë, ku deputeti pretendoi se kryedemokrati e cilësoi qeverinë e Berishës si “llum”. Por ky pretendim u hodh poshtë nga selia blu.