Pas platformave të Facebook, që përfshin edhe Instagram dhe Whatsapp, një tjetër protagonist i rrjeteve sociale ka përjetuar një bllokim planetar, dhe kësaj radhë nuk i përket perandorisë së Zuckenbergut.
Bëhet fjalë për SnapChat, i cili dje praktikisht ishte i paarritshëm në vende të ndryshme të botës, në veçanti në Europën perëndimore edhe në Shtetet e Bashkuara, aty ku edhe përdoret më shumë.
Teknikët e shoqërisë me bazë në SHBA, arritën ta riparonin defektin brenda 4 orëve, por analistët po fillojnë të pyesin veten sa çfarë po ndodh me rrjetet sociale kryesore.
Sipas tyre, defektet po tregojnë se një nga problemet e platformave që i përkasin rrjeteve sociale kryesore është centralizimi i tyre, që po evidentohet gjithmonë e më shumë me përhapjen e tyre globale. Sipas tyre, drejtuesit e këtyre gjigantëve teknologjikë duhet të mendojnë për një diversifikim të platformave të brendshme, që mund të ulin riskun e gabimeve njerëzore ose të sulmeve kibernetike.
Javën e kaluar, Facebook pësoi rreth 100 milionë dollarë dëme dhe një ulje domethënëse të çmimit të aksioneve të kompanisë, pas defektit që zhduku platformën e tyre për rreth 7 orë në të gjithë botën.