Policia e Vlorës ka arrestuar tre persona të cilët u përfshinë në grabitjen që ndodhi disa ditë më parë në zyrat e administrimit të pronave në qarkun e Vlorës, ku u vodhën 2 dosje të pronave në Dhërmi e Himarë.
Në pranga ranë Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Bardhyl Gjika, 60 vjeç, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino, 37 vjeç, dhe shtetasin Spiro Duni, 51 vjeç.
Dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin ata kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi.
Ende nuk bëhet e ditur se cili prej tyre ka hyrë në zyrat e qarkut, duke thyer dyert me levë, por dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ka marrë dosjet e Dhërmiut për të humbur gjurmët e falsifikimit që kanë bërë në dosjet e bregdetit.
“Nga hetimet ka rezuluat se shtetasi B. Gj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtori shtetasin K. M, dhe shtetasin S. D, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.