Dita e sotme ka nisur me vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit. Ndërsa në zonat juglindore ka pasur reshje të pakta dëbore.
Por si parashikohet të jetë moti gjatë fundjavës?
Të gjithë ata që kanë bërë plane mund t’i gëzohen motit me diell. Sipas Meteoalb, moti do të përmirësohet që sot pasdite, kur pritet që reshjet t’u lënë vendin kthjellimeve. Edhe fundjava parashikohet të jetë me kushte të qëndrueshme atmosferike.
Moti i kthjellët do jetë prezent sidomos në Ultësirën Perëndimore, duke sjellë kthjellime dhe vranësira të shpeshta në zonat malore. Nuk parashikohet që të ketë reshje.
Për sa u përket vlerave termike, sot ka pasur një tjetër rënie në orët e para të mëngjesit, duke bërë që minimalet të jenë zero apo minus 1 gradë në zonat e thella malore. Ndërkohë maksimalet do të kenë një rritje më një apo dy gradë, ku priten vlera 18 apo 19 gradë. Fundjava do të sjellë rritje temperaturash edhe të shtunën, edhe të dielën, duke kulmuar ditën e diel kur termometri do të ngjitet deri në 22 apo 23 gradë celsius.
Era do të jetë problematike duke qenë se do të ketë kryesisht drejtim verilindor dhe do të bëjë që i ftohti të ndihet disi, të paktën në orët e para të mëngjesit.