Policia e Korçës ka arrestuar 46- vjeçaren, Irena Kostaki e cila 25 vite më parë vrau foshnjën e saj. Irena Kostaki e njohur ndryshe si Irena Zeria është dënuar nga Gjykata e Lamias me 20 vite burg për veprën “Vrasje me qëllim”.
“Irena Kostaki (Zeria), 46 vjeçe, banuese në fshatin Miras, Devoll, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Gjykata e Lamias në Greqi, me vendim penal të formës së prerë, e ka dënuar këtë shtetase me 20 vite burg, për veprën “Vrasja me qëllim”, sipas legjislacionit grek, e cila korrespondon me veprën penale “Vrasja me paramendim” të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në njoftimin e policisë.
46-vjeçarja në vitin 1995 ka vrarë duke e mbytur me duar, vajzën e saj 9-muajshe dhe dy vite më vonë është arratisur nga Qendra e Paraburgimit të Femrave në Koridalo, Greqi. “Kjo shtetase, më datë 28.08.1995, në Diles, Greqi, ka vrarë duke e mbytur me duar, vajzën e saj 9-muajshe dhe më datë 05.03.1997 është arratisur nga Qendra e Paraburgimit të Femrave në Koridalo, Greqi, ku ka qenë me masë sigurie.