Edhe pse po përpiqen të krijojnë imazhin e një force të moderuar pas kthimit për së dyti në pushtet në Afganistan, talebanët nuk heqin dorë nga praktikat çnjerëzore të ndëshkimit.
Viktimë e ndëshkimit ka rënë një volejbolliste 18-vjeçare, Mahxhabin Hakimi, pjesë e ekipit të bashkisë së Kabulit. Trajnerja e saj tha për versionin persisht të medias britanike ‘Independent’, se ajo ishte ekzekutuar nga militantët talebanë me prerje koke më herët gjatë këtij muaji. Dyshohet se kjo është një foto e saj e publikuar në rrjetet sociale nga vetë talebanët pas ekzekutimit.
Megjithatë, të dhënat që qarkullojnë janë kontradiktore. Burime pranë talebanëve thonë se ajo nuk është ekzekutuar nga militantët e tyre, por ka humbur jetën nga plagët gjatë një zënke në gusht, para se talebanët të merrnin zyrtarisht pushtetin. Të tjera të dhëna thonë se ajo është vetëvrarë. Lajmi publikohet në kohën kur në Moskë zhvillohet një samit për njohjen ndërkombëtare të qeverisë së talebanëve, ku Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të marrin pjesë.