Adrian Çela, administratori i OSHEE, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka folur për monedhën virtuale Bitcoin, ku në vendin tonë janë zbuluar dy ferma të tilla.
Për prodhimin e tyre nevojitet shumë energji, e në rastet e godituara është konstatuar edhe vjedhje e energjisë elektrike. Mësohet se Çela ka prezantuar një plan, një sërë masash për të bërë të mundur bllokimin e tyre.
Çela theksoi se janë zbuluar 2 “ferma” Bitcoin, njëra në Tiranë dhe tjetra në Fushë Krujë, të cilat janë zbuluar pasi është konstatuar vjedhja e energjisë. Pas zbulimit të këtyre rasteve janë marrë masa.
Më tej, Adrian Çela theksoi se brenda vitit 2022 bursa e energjisë në vend do të jetë aktive dhe do të na japë edhe një frymëmarrje.
“Jo domosdoshmërish bursa të jep çmimin më të mirë, pasi nëse do ishte kështu edhe shtetet e tjera që e kanë bursën do e blinin më lirë energjinë. Ne kemi nisur fazën e parë të investimit, sepse ky shqetësim nuk ka qenë vetëm me bitcoin por ka qenë edhe më herët me shtëpitë e barit. Jo vetëm për këtë fakt por edhe për të monitoruar humbjet. Kemi nisur monitorimin e fiderave, dhe montimin e 1200 smart meter dhe jemi në fazën e dytë në vendosjen e smart meter në 26 mijë kabina që janë në vend. Duke kaluar në fazën e dytë në monitorimin e kabinave ne fillojmë e ngushtojmë rrafshin e kërkimit. Kemi evidentuar dy ferma Bitcoin një në Tiranë dhe një në Fushë-Krujë dhe i kemi denoncuar, kemi marrë masa edhe ndaj ekipeve që monitorojnë në zonë dhe i kemi larguar nga puna por dhe i kemi çuar për ndjekje penale. Është një betejë e vazhdueshme që ne kemi jo vetëm me Bitcoin apo me prodhuesit e bimëve narkotike por është betejë me cilindo që vjedh energjinë.”-tha Çela.
Kujtojmë se prodhimi i kriptomonedhës Bitcoin kërkon pajisje të fuqishme kompjuterike të cilat përdorin dhe një sasi të madhe të energjisë elektrike.
“Para 8 vitesh blerja e energjisë bëhej me zarf dhe me takim në zyrë, ky është fakt dhe jo demagogji. Sot janë mbi 20 kompani të licencuara që nuk i licencon OSHEE, por ERE, dhe janë kompani shqiptare dhe të huaja dhe marrin pjesë në kohë reale dhe shikojnë përgjigjen nëse janë pranuar apo refuzuar në kohë reale. Nuk ka bursë Kosova dhe Maqedonia ende, madje Kosova është integruar në ALPEX që është bursa e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ne nuk shesim dhe nuk blejmë në bursë. Arsyet janë dhe juridike dhe financiare. Vlera e importit kanë qenë dhe janë të konsiderueshem, në rast se në shtator kemi importuar 44 milionë euro energji, ne duhet të kishim 44 milionë euro fond garanci dhe të paguanim 44 milionë euro. Pra duhet të kishin cash 88 milionë euro që nuk i kemi. “-tha Çela në Komision.