Krerët e selive diplomatike në vendin tonë, ambasadorja Yuri Kim dhe Luigi Soreca kërkojnë hetim për rastet e krimeve zgjedhore. Në një reagim në Facebook, pas takimit të Kim e Sorecës me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi, ambasada e SHBA shkruan se është e domosdoshme që autoritetet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore, përfshi blerjen e votave, kërcënimin e votuesve dhe përpjekjet e tjera për t’u mohuar votuesve të drejtën për të votuar të lirë, pa frikë, trysni apo joshje të paligjshme.
Gjatë takimit me Celibashin dy ambasadorët diskutuan edhe për adresimin e rekomandimeve të OSBE, për të përmirësuar më tej zgjedhjet në vendin tonë, që përfshin edhe një reformë të re zgjedhore.
“Duke cituar raportin e fundit të ODIHR, Ambasadorët Kim dhe Soreca shprehën vlerësimin për administrimin kompetent të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ. Ambasadorët nënvizuan se tani është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe partive për të punuar me KQZ-në për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it.
Po ashtu, është thelbësore që autoritetet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore, përfshi blerjen e votave, kërcënimin e votuesve dhe përpjekjet e tjera për t’u mohuar votuesve të drejtën për të votuar të lirë, pa frikë, trysni apo joshje të paligjshme. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë të gjitha përpjekjet për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të përmbushin standardet më të larta, në mënyrë që vullneti i zgjedhësve të respektohet plotësisht”, njofton ambasada e SHBA në Facebook.