Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA tha se disa njerëz me sistem imunitar të dobësuar që kanë marrë vaksinën e Moderna ose Pfizer-BioNTech kundër Covid-19 mund të marrin një dozë të katërt.
Sipas Washington Post, CDC dha dritën jeshile javën e kaluar për të kombinuar dozat përforcuese të cilësdo prej tre vaksinave të koronavirusit të autorizuara në Shtetet e Bashkuara për të forcuar mbrojtjen për personat më të prekshëm. Në udhëzimin që u përditësua të hënën, agjencia dha më shumë detaje rreth përforcuesve për ata me sistem imunitar të dobësuar.
“Personat me imunosupresion që kanë bërë vaksinën Pfizer ose Moderna, mund të jenë në gjendje të bëjnë një dozë të katërt”, thuhet në njoftimin përkatës.
Personat me imunitet të komprometuar mesatarisht ose rëndë që kanë marrë tashmë një dozë të tretë të vaksinave Pfizer-BioNTech ose Moderna mund të marrin një dozë të katërt gjashtë muaj ose më shumë pas administrimit të dozës së tyre të fundit, sipas CDC. Këta njerëz mund të marrin një dozë përforcuese të cilësdo prej tre vaksinave për një total prej katër dozash vaksinash, thuhet në udhëzimin për mjekët.
Ekspertët shëndetësorë bëjnë një dallim midis dozave shtesë dhe përforcuesve. Doza shtesë u jepen njerëzve me sistem imunitar të dobësuar. Një dozë shtesë e një vaksine mRNA synon të përmirësojë përgjigjen e njerëzve me imunitet të kompromentuar ndaj serisë fillestare të vaksinave me dy doza. Një përforcues jepet pasi një person të ketë përfunduar serinë e tij të vaksinave dhe mbrojtja kundër virusit është ulur me kalimin e kohës.