Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot në parlament se edhe Shqipëria do të vendosë si kusht certifikatën e vaksinimit për të hyrë në bare dhe restorante. Pak orë më pas, ministrja ka bërë një gjysmë hapi pas duke e konsideruar këtë si “një nga opsionet që po shyrtohet”.
“Ne jemi duke vlerësuar dinamikën e pandemisë. Do të shohim se si do të përballemi me ecurinë e infektimeve. Të gjitha opsionet janë të tavolinë, edhe vendosja e Green Pass është një nga këto. E kemi vendosur për studentët dhe ka pasur një rritje e studentëve që janë vaksinuar” – tha ministrja në News 24.
Ajo bëri fajtorë kritikët e vaksinimit për rënien e dëshirës së marrjes së dozave në vend.
“Ka shumë që janë helmuar nga “ekspertët” me historitë e çipave. Ne kemi punuar me fushatë ndërgjegjësuese dhe kemi arritur jo pak” – tha ministrja që premtoi se vendi ynë do të marrë së shpejti edhe ilaçin oral kundër covid.
“Tashmë Britania e Madhe ka miratuar ilaçin e parë kundër koronavirusit. Kemi kontaktuar menjëherë me Merck. Kemi kontaktuar… Kemi marrë në kontakt me Pfizer e cila po prodhon një bar që quhet Proteaz kundër koronavirusit” – tha Manastirliu.