Policia është e bindur tashmë se trupi i gjetur në Dajt i përket biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i zhdukur prej 13 ditësh. Ttrupi i Hoxhës është gjetur në një greminë i hedhur. Nga mbikëqyrja paraprake policia ka konstatuar një plagë pas kokës së tij që dyshohet se është shkaktuar nga një armë zjarri.
Dyshohet se pasi u qëllua pas kokës, Hoxha është hedhur në greminë, ndërsa xhupi i gjakosur u gjend pak metra më tej.
Fillimisht policia kishte marrë në pyetje familjarët duke kërkuar të dhëna edhe në lidhje me mënyrën se si ishte veshur ai ditën që u zhduk. Veshja e trupit të pajetë që u gjend i vdekur korrespondon me deklaratat e familjarëve.
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha ishte zhdukur që prej 13 ditësh dhe familjarët kishin bërë denoncim në polici pasi nuk munden të vendosnin kontakte me të afërmin e tyre. Pas verifikimeve, policia zbuloi se për herë të fundit me të kishte kontaktuar me shokun e tij Ferdinand Rrushi.
Në dëshminë e tij në polici, Rrushi tha kishin qenë për çështje pune me Hoxhën në Fushë Mezës duke mos dhënë më detaje në lidhje me këtë çështje.