Të paktën tetë persona ndërruan jetë dhe shumë të tjerë u plagosën pasi turma nisi të lëvizë dhe njerëzit të “shtypnin” njëri-tjetrit teksa reperi Travis Scott ishte në skenë në Festivalin Astroworld në Houston të premten mbrëma.
Incidenti ndodhi kur turma u zhvendos drejt skenës, duke shtypur ata në pjesën e përparme që nuk ishin në gjendje të shpëtonin, tha shefi lokal i zjarrfikësve Sam Peña për CNN të shtunën në mëngjes. Kjo shkaktoi panik dhe situata u përkeqësua dhe mbingarkoi personelin e sigurisë atje, tha ai.
“Turma, për arsye që ende s’i dimë filloi të shtynte njëri-tjetrin për të arritur drejt skenës. Kjo bëri që njerëzit që ishin para të ngjesheshin në pamundësi për t’i shpëtuar situatës. Situata sa vinte dhe përkeqësohej, u panë njerëz që rrëzoheshin në tokë pa ndjenja. Disa prej tyre pësuan atak kardiak.“- janë shprehur autoritetet për CNN.
Rreth 23 njerëz janë dërguar urgjent në spital, prej të cilëve 11 janë në gjendje kritike e ndërsa 8 të tjerë nuk mundën të mbijetonin. Mes pacientëve në gjendje kritike ndodhet dhe një 10 vjeçar. Policia e Houston-it dhe stafi i sigurisë së eventit ndaluan menjëherë koncertin sapo vunë re që gjërat po dilnin jashtë kontrollit, por dëmi më i madh ishte bërë. Ende nuk dihet shkaku i reagimit të turmës, por autoritetet po hetojnë për të zbuluar çfarë e shkaktoi.
Mosha e viktimave është nga 14 deri në 27 vjeç; mosha e një personi tjetër të vdekur mbetet e panjohur. Tre persona u shkelën dhe u shtruan në spital në nëntor të vitit 2019 teksa mijëra njerëz nxituan për të hyrë në festival. Ata u dërguan në spital me lëndime në këmbë dhe eventi vijoi sipas planit.