Tiranë- Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim ditën e sotme, drejtorin e OBSH-së për Europën, Dr. Hans Kluge.
Në këtë takim u diskutua rreth rritjes së shifrave të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë.
Postimi i Metës
“Zhvillova sot një takim të frytshëm me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Dr.Hans Kluge.
Diskutuam për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.
Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë.
Është tepër e domosdoshme rimbursimi i shpenzimeve për barnat dhe shërbimet për të sëmurët me COVID-19, veçanërisht të pensionistëve e qytetarëve në nevojë, të cilët trajtohen në banesë dhe që për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta ekonomike.“- shkruan Meta në postimin e tij.