IRAN– Dy tërmete të fuqishme, vetëm një minut larg njëri-tjetrit kanë tronditur Iranin jugor këtë mesditë duke shkaktuar një viktimë dhe dhjetëra të plagosur. Kreu i Qendrës Sizmologjike Iraniane, Esmaeil Bayramnejad është shprehur për Al Jazeera se dy lëkundjet ishin me magnitudë 6.4 dhe 6.3 që goditën në një minutë një zonë pranë ishullit Qeshm, afër qytetit port të Bandar Abbas.
Tërmetet u ndjenë në provincat fqinje, përfshirë Kermanin, si dhe në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe u shoqëruar dhe nga disa pasgoditje.
Viktima u shënua pasi një shtyllë elektrike ra mbi të teksa po ecte në një rrugë në Bandar Abbas. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Presidenti Ebrahim Raisi urdhëroi një mbledhje të menjëhershme të kabinetit për të diskutuar masat për të garantuar sigurinë e zonave të prekura. Ai gjithashtu urdhëroi zëvendëspresidentin e tij të parë, Mohammad Mohkber, të udhëtonte në Hormozgan për të vlerësuar personalisht situatën.