Drejtori i Përgjithshëm i RTSH është zgjedhur Enkelejd Joti. Drejtori i ri u zgjodh sot nga Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Joti u zgjodh me votim të fshehtë të 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues me tre të pestat e votave.
Ai siguroi sipas ligjit shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen këtë të hënë proceduren statutuore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik më të madh të vendit. Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pasi më herët u dëgjuan në seancë publike katër kandidatët që ishin paraqitur si pretendente për këtë detyrë publike.
Kandidatët paraqiten para anëtarëve të Këshillit Drejtues në mënyrë të detajur platformat e tyre, ku përshkruheshin objektivat dhe strategjitë e tyre për drejtimin e Televizionit Publik. Kandidatët në garë ishin Enkelejdi Joti, Iris Luarasi, Mimoza Haxhiaj dhe Laureta Roshi. Në mbledhjen e këshillit, anëtarët e tij u drejtuan pyetje secilit prej kandidatëve që hynë në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm u monitorua nga komisioni ad-hoc i ngritur për këtë qëllim dhe respektoi gjithë procedurat që parashikon statuti i Radio Televizionit Publik.