Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar ashpër pas vrasjes makabre të 8-vjeçarit në Fier, Mateo Vasiu. Meta bën përgjegjës institucionet që sipas tij nuk kanë bërë detyrën.
“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi. Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale. Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë. Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar. Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo. Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen”, shkruan Meta.