Gazetari Armando Bajrami dhe deputetja Mesila Doda të ftuar në emisionin ‘Shënjestër’ në ‘News24’ folën për ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik, vrasjen e 8-vjeçarit në Fier nga Klodian Çalamani.
Gjatë bisedës në studio, gazetari Bajrami tha se Klodian Çalamani ishte një minë me sahat në komunitetin ku ai jetonte, për shkak se ka qenë një person i cili ka shfaqur probleme dhe është denoncuar për një tjetër rast të rëndë.
Humbja e jetës së një të mituri ishte një ngjarje e paralajmëruar. Personi përgjegjës ka qenë pjesë e një procedimin penal, për një vepër të kryer po në të njëjtën komunitet. Është një histori që në gjenezën e saj ka pasur edhe të tjera , si rasti me 16-vjeçaren. Banorët në atë komunitet kanë pasur mundësi të flasin përmes mikrofonit. Në lidhje me reagimet e tyre, SHÇBA ka nisur një verifikim për të parë nëse ka pasur denoncime për Klodian Çalamanin dhe çfarë reagimesh ka pasur nga institucionet. Klodian Çalamani ka qenë një minë me sahat, një bombë për atë komunitet ku jetonte. Personat me çrregullime, ligji penal shqiptar i përjashton nga përgjegjësia penale, pra përjashton të gjithë personat që në momentin e kryerjes së krimit rezultojnë se kanë pasur çrregullime mendore. Më pas gjykata për këta persona cakton dy masa, mjekim të detyrueshëm ambulator dhe shtrim të detyrueshëm në spital në Psikiatri”, tha më tej gazetari.