Detaje nga aksidenti në Rrugën e Arbrit ku 2 makina janë përplasur “kokë më kokë” në Gjoricë të Bulqizës. Bëhet me dije se janë përplasur një makinë e patrullës së policisë rrugore dhe një mjet tip Mercedes Benz.
Sipas policisë drejtuesi i makinës së policisë rrugore, Selami Lusha ka humbur kontrollin dhe ka kaluar në sens të kundërt duke goditur mjetin tip Mercedes të drejtuar nga Zenel Murra.
Si pasojë e goditjes janë lënduar punonjësi i policisë dhe drejtuesi i mjetit tjetër. Të dy të lënduarit janë transportuar fillimisht në spitalin Rajonal të Peshkopisë ku po marrin ndihmën mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se punonjësi i policisë ka qenë në gjendje më të rëndë dhe pritet të transportohet drejt spitalit të Traumës.