Një abuzues seksual në listën e më të kërkuarve nga Interpoli u arrestua të enjten në mbrëmje në aeroportin e Zaventem të Brukselit.
Bëhet fjalë për shqiptarin nga Kosova, Nesat Bego, i cili u dënua në Luksemburg me 5 vjet burg por ndodhej në arrati.
“Shqiptari Nesat Bego, 42-vjeç, ishte në kërkim nga gjykata e Luksemburgut që kur u arratis pasi u dënua me 5 vjet burg për shfrytëzim seksual dhe pornografi fëmijësh“, raportojnë mediat belge.
Viktima e tij ishte më pak se njëmbëdhjetë vjeç. Të enjten në mbrëmje, ai u ul me një aeroplan nga Beogradi në Zaventem.
Policia belge ishte në gjendje ta identifikonte atë dhe ta ekstradojë drejt Luksemburgut.
Arrestimi është rezultat i një bashkëpunimi midis forcave të policisë belge, Luksemburgut dhe Serbisë.
Burri u shtua së fundmi në listën e “më të Kërkuarve’ të Europol. Kohët e fundit, aty janë shfaqur edhe shkelës seksi që janë në arrati.