Zëvendëspresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris, u bë gruaja e parë që merr kompetencat presidenciale (për një periudhë të shkurtër), ndërsa Joe Biden iu nënshtrua një kontrolli shëndetësor rutinë.
Harris qëndroi në kontroll për 85 minuta, ndërsa Biden u vendos nën anestezi për një kolonoskopi rutinë të premten. Mjeku i Biden lëshoi një deklaratë pas operacionit, duke thënë se ai ishte i shëndetshëm dhe i aftë për të kryer detyrat e tij.
Harris i kreu detyrat nga zyra e saj në Shtëpinë e Bardhë, thanë zyrtarët. Ajo është gruaja e parë – dhe e para amerikane me ngjyrë dhe aziatike jugore – që zgjidhet nënkryetare e SHBA.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se transferimi i përkohshëm i pushteteve në rrethana të tilla nuk ishte i paprecedentë dhe se ishte pjesë e procesit të përcaktuar në kushtetutën e SHBA. “Siç ishte rasti kur Presidenti George W Bush pati të njëjtën procedurë në vitet 2002 dhe 2007,” tha ajo në një deklaratë.
Presidenti u pa i buzëqeshur teksa kthehej në Shtëpinë e Bardhë. “Ndihem mirë,” tha ai. Kevin O’Connor, mjeku i presidentit, tha se kolonoskopia gjeti një “polip beninj” që hiqej lehtësisht.