TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se bizneset e vogëla deri në 100 milion lekë xhiro do të kenë taksë zero. Gjatë prezantimit të buxhetit për biznesin e vogël, Rama tha se bizneset e vogla, falë mbështetjes së qeverisë nuk falimentuan gjatë periudhës së pandemisë, ku gjithçka ishte mbyllur.
“Duke u nisur nga ku e ndërmorëm këtë përpjekje në krye të herës, bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10%. Sot bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero. Edhe pse ishin 60 mijë biznese të vogla gjatë periudhës 2006-2013, kanë paguar 19 miliardë lekë tatime. Nga 2014 deri në 2021 kanë paguar 5.7 miliardë lekë tatime, pra tre herë më pak. Diferenca nuk ka ikur në lumë, por ajo ka hyrë në familjen e sipërmarrësve të vegjël dhe bëhet fjalë për një diference 133 milionë dollarë. Sigurisht që ka pasur biznese që janë mbyllur, por ka pasur shumë më tepër që janë hapur. Në fund fare, shifrat tregojnë se bëhet fjalë për 2,400 biznese më shumë. Me siguri, ne mendojmë, se ka luajtur rol edhe mbështetja që u dhamë gjatë pandemisë, duke ia hequr lakun nga fyti dhe duke i mundësuar kapërcimin e kësaj krize, pa qenë në kthetrat e falimentimit. Sot ne kemi shifrën tjetër të rëndësishme për rimarrjen e të gjithë ritmit nga biznesi i vogël, janë 2400 biznese të vogla më shumë para mbylljes nga pandemia. Për të gjithë ata që janë të interesuar për më shumë shkolla etj, nga biznesi me 100 mln nuk kërkohet asnjë taksë, por duke u fiskalizuar mbyll shtigjet për të mëdhenj që ta përdorin atë,” tha Rama.