Mes 110 vendeve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë në samitin virtual për demokracinë janë aleatët evropianë, por edhe Iraku dhe India. Kjo listë është publikuar nga Departamenti i Shtetit. Nga ana tjetër, lista nuk përfshin Kinën, e akuzuar vazhdimisht nga administrata Biden për shkelje të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjang, Tibet dhe Hong Kong.
Mbledhja online është një ngjarje që Biden premtoi ta zhvillojë, ndërsa kandidoi për presidencë vitin e kaluar, me synimin për të bashkuar vendet me të njëjtin mendim rreth përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe autoritarizmin dhe për të promovuar të drejtat e njeriut.