Në takimin Konsultativ të Ministrisë së Brendshme me Donatorët, ministri Bledi Çuçi njoftoi se Ilir Beqja është zgjedhur në krye të agjensisë që merret me ndihmat e donatorëve. Emërimi i Beqajt në këtë drejtori ishte paralajmëruar prej kohësh, dhe sipas opozitës kjo nuk është gjë tjetër veçse një mbivendosje ndaj rolit dhe funksionit të ministrisë së financave. Beqaj, që e gjeti veten jashtë Kuvendit, pas zgjedhjeve të 25 Prillit, tashmë do të jetë në krye të një drejtorie që do të merret me menaxhimin e ndihmave që i vijnë Shqipërisë nga aleatët.
Sipas PD, Beqaj do të jetë në krye të drejtorisë për menaxhimin e Fondeve të Donatorëve, njësoj si një ministër pa portofol.
“Agjencia në fjalë njësoj si 2 agjencitë e tjera është thjesht një kod për të fshehur punën reale që ato do bëjnë. Pra, Agjencia do të ndërtojë politika, do menaxhojë fonde, do të jetë një ministri e re e financave. Kjo sajesë, njësoj si Agjencia e Mediave dhe ajo e Bashkëqeverisjes, do të jenë hambari i punësimeve politike dhe partiake, që do të zhvlerësojnë dhe shumëzojnë me zero infrastrukturën dhe paratë e shpenzuara për punësimin e administratës civile.
Së fundi, jo nga rëndësia, kjo Agjenci do të distancojë qytetarët dhe përfituesit nga entitetet që ofrojnë fondet. Kjo agjenci e sajuar është për të mbivendosur funksionet kuptohet për interesa klienteliste dhe korruptive”, deklaronte pak kohë më parë deputetja e PD-së Jorida Tabaku.