Në Elbasan, u zhvillua mbledhja e shtatë mes dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Fokusi ishte finalizimi i marrëveshjeve të nënshkruara që do të menaxhohen nga sekretariati ndërkoordinues. Në mbledhjen e dy qeverive, Edi Rama dhe Albin Kurti theksuan nevojën për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. Rama ftoi qeverinë e Kosovës, që krahas marrëveshjeve, të bëjnë edhe unifikimin e abetareve në dy shtetet. Albin Kurti, nga ana e tij, e cilësoi si detyrim bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.
Mes 15 marrëveshjeve që u firmosën, është dhe ajo për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm për qytetarët e të dyja vendeve, njohja e sigurimeve shoqërore dhe për lehtësira të ndërsjella në procedurat doganore të hyrje-daljes së mallrave.
15 marrëveshjet që firmosen sot mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm;
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit;
Marrëveshja ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash);
Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës së Kosovës “Për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”;
Për miratim, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore;
Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave;
Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022;
Marrëveshje Bashkëpunimi: Në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK;
Protokoll Bashkëpunimi Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
Marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë;
Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Institucionit kompetent të palës kosovare;
Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-të (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave);
Manual i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit; Manuali Për procedurat standarde të operimit në piken e përbashkët të kalimit kufitar (PPKK) Morinë-Vermicë;
Marrëveshje dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut;
Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Kosovës.