Britania e Madhe dhe Franca janë përfshirë në një luftë fjalësh, lidhur me kalimet e rrezikshme në kanalin e La Manshit, pasi të paktën 27 persona u mbytën të mërkurën. Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, anuloi bisedimet e planifikuara me homologen britanike Priti Patel, pasi kryeministri Boris Johnson i kërkoi Francës të marrë mbrapsht emigrantët që kaluan kanalin.
Johnson e parashtroi kërkesën përmes një letre, përmes së cilës bëri gjithashtu thirrje për patrullime të përbashkëta detare, ajrore dhe tokësore në të ardhmen, ide e kundërshtuar nga Franca.
“Një marrëveshje me Francën për të marrë mbrapsht emigrantët që kanë kaluar kanalin e La Manshit përmes itinerarit të rrezikshëm do të kishte ndikim të menjëhershëm dhe të rëndësishëm”, deklaroi Boris Johnson.
Franca reagoi me zemërim ndaj letrës, duke e cilësuar atë si zhgënjyese.
“Ne konsiderojmë se letra publike e kryeministrit të Britanisë së Madhe është e papranueshme dhe minon diskutimet tona si partnerë. Për këtë arsye, Priti Patel nuk është më e mirëpritur këtu”, tha ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin.
Mbytja e gomones, ditën e mërkurë, shënon tragjedinë më të rëndë të këtij lloji në kanalin e La Manshit, e regjistruar deri më tani. Shumica e viktima ishin nga Iraku, mes tyre 7 gra, njëra prej të cilave shtatzënë dhe 3 fëmijë.