Sot është 28 nëntori, Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe të gjithë zgjedhin ta festojnë në mënyra të ndryshme.
Akrobatja e njohur, Fiona Rushiti, e cila njihet për performancat e saj në qiell të hapur ka zgjedhur të ngrejë “shqiponjën” te “Sheshi Nënë Tereza”.
Së bashku me tifozët kuqezi, pjesë e të cilëve është dhe vetë, ajo ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme, me të gjitha ngjyrat dhe simbolet kuq e zi, ulur mbi shqiponjën dykrenare.
Fiona tregon se realizimi i performacës nuk ka qenë aspak i lehtë dhe shpesh ka menduar se nuk do ia dilte.
“Doja që këtë 28 nëntor të vija si shqiponjë e shqiptarëve”, si dhe për të treguar vlerat dhe bukurinë e flamurit tonë.
Përgatitja e shqiponjës ishte shumë e vështirë sepse është punuar e gjitha me dorë.
Për mua kjo do të jetë një ndër performancat më të veçanta , dhe më të bukura sepse nisi thjesht si një ide. Ka qenë shumë e vështirë gjithë përgatitja e saj, më kanë dalë shumë pengesa rrugës, saqë nga momenti në moment mendoja që do e kisha të pamundur ta realizoja”, është shprehur Fiona.
Përmes kësaj performance, mesazhi që akrobatja ka dashur të japë është të mos harrojmë kush jemi dhe nga vijmë.
“Mesazhi më i mirë është që të mos harrojmë kush jemi e nga vijmë, mos ta harrojmë gjuhën, kulturën, traditat dhe vlerat që kemi si komb. Jemi të gjithë shqiptarë, pavarësisht territorit ku jetojmë dhe veprojmë dhe nuk na ka hije të fusim frymë përçarjeje”, thotë ajo.