Partia Demokratike përmes Albana Vokshit thotë se mijëra mësues dhe nxënës janë të prekur nga koronavirusi. Ajo i kërkon kryeministrit Edi Rama të garantojë sigurinë në shkolla dhe të ndihmojë arsimtarët e infektuar.
Sipas saj, çdo ditë ka denoncime për situatën e vështirë dhe se qeveria nuk ka asnjë plan për t’i ndihmuar.
Deklarata e plotë e Albana Vokshit:
Ndodhem para Kryeministrisë, sepse, si shumica e shqiptarëve ne konsiderojmë Edi Ramën përgjegjës për situatën e rëndë të pandemisë në vend.
Me keqardhje konstatojmë që vetëm 2 ditën e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë reale për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla.
Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. PD shpreh keqardhjen per humbjen e jetëve të shtrenjta të mësuesve dhe ngushëllon familjet, kolegët e të afërmit.
Situata në shkolla është ALARMANTE dhe jashtë çdo kontrolli. Shkollat janë sot ndër vatrat më të rrezikshme të perhapjes së infeksionit, sepse qeveria nuk do t’ia dijë për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Ajo që i intereson Edi Ramës është vetem t’i përdorë ata për politikë dhe për pushtet.
Denoncimet janë të përditshme nga çdo shkollë e vendit. Mësues dhe prindër që kërkojnë mbështetje dhe ndihmë. Qeveria ka vendosur të mbyllë veshët dhe të mos i dëgjojë lutjet e tyre, pasi mësuesit dhe nxënësit i duhen vetëm për dekorin e propagandës së Edi Ramës. Qeveria i ka braktisur e lënë në mëshirë të fatit, pa testime, pa maska, pa dezinfektant, pa ujë, pa kushte higjeno sanitare, duke i shfrytëzuar si skllevër me dyfishin e ngarkesës që nuk u paguhet kurrë.
Humbjet e jetës mund të ishin shmangur, nëse Qeveria do rë reaguar në kohën e duhur dhe do të kishte zbatuar planin e propozuar nga PD. Kryeministri në ikje po jep dhjetëra miliona euro për projekte korrupsioni, siç është ai i Teatrit me kulla, por nuk jep asnjë qindarkë për të rritur sigurinë në shkolla apo për të ndihmuar mësuesit e prekur nga virusi i rrezikshëm.
Çdo ditë e humbur pa zbatimin e këtij plani vë në rrezik shëndetin dhe jetën e mësuesve. Ka një përgjegjës që shkollat janë kthyer një ndër vatrat më të rrezikshme per perhapjen e infeksionit. Ai e ka emrin Edi Rama!