Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka njoftuar se kryepeshkopi Anastas Janullatos është në gjendje të mirë shëndetësore. Përmes një njoftimi bëhet me dije se përgjatë 4 ditëve, Janullatos ka shfaqur vetëm simptoma të lehta dhe tani ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Aktualisht, kryepeshkopi ndodhet i shtruar në spitalin “Evaggelismos” në Athinë. Kryepeshkopi u transportua me avion ushtarak për ndihmë të specializuar mjekësore.
Njoftimi i plotë:
Kryepiskopi vazhdon me simptoma të lehta dhe merr urime të shumta për shërim të shpejtë.
Gjendja shëndetësore e Kryepiskopit Anastas këto 4 ditë vazhdon të jetë me simptoma të lehta, e qëndrueshme dhe nën kontrollin e vazhdueshëm dhe të përkushtuar të mjekëve.
Në përshëndetjen pas shtrimit në spitalin “Evangelismos”, Fortlumturia e Tij Anastas theksoi se “Rrugëtimi ynë në Shqipëri nisi me përshëndetjen “Zoti është me ne” dhe me përgjigjen në kor “edhe ne me Zotin”, që na mbështeti në sigurinë se “Perëndia nuk do të na braktisë”… Dhe citoi një varg të Ungjillit, që shpreh mënyrën se si duhet ta përballojmë pandeminë: “Mos ki frikë, vetëm beso” (Llk.8:50).
Kryepiskopi Anastas ka shprehur falënderime për të gjithë mjekët dhe infermierët dhe për njerëzit e shumtë, që edhe një herë tjetër e shfaqën dashurinë e tyre me lutje spontane e të zjarrta. Këto ditë kanë qenë të pareshtura interesimi, telefonatat, mesazhet dhe reagimet në media nga besimtarët orthodhoksë, që presin ta shohin Kryepiskopin sa më shpejt mes tyre. Vëmendje të madhe kanë treguar në këtë rast edhe mediat e ndryshme, disa prej të cilave kanë bërë një pasqyrim korrekt dhe të ngrohtë.
Ndërkohë, Fortlumturia e tij ka marrë shumë urime për shërim të shpejtë nga besimtarë dhe personalitete të vendit tonë, si dhe nga primatë e hierarkë të Kishave Orthodhoksë dhe personalitete nga jashtë, ku veçojmë:
Patriarku Ekumenik Vartholomeu: “Lutjet tona ju shoqërojnë… gjatë kurimit Tuaj aty, për të cilin urojmë të jetë afatshkurtër dhe rezultativ: sepse ju duam dhe sepse Kisha ka nevojë për ju.
Urojmë të vazhdoni edhe për shumë vite kontributin Tuaj krijues dhe mirëbërës për Krishterimin dhe për njerëzimin, për lavdi të Perëndisë.”
Urime për shërim të shpejtë dhe kthim sa më të shpejtë në krye të detyrave baritore, Kryepiskopi ka marrë edhe nga Patriarku i Aleksandrisë, Fortlumturia e Tij Theodhori; Patriarku i Jerusalemit, Fortlumturia e Tij Theofili; Patriarku i Moskës, Fortlumturia e Tij Kirili; Kryepiskopi i Qipros, Fortlumturia e Tij Krisostomi; Kryepiskopi i Greqisë, Fortlumturia e Tij Jeronimi etj.
Edhe Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij z. Ilir Meta, iu bashkua lutjeve të besimtarëve për shërim të plotë e të shpejtë të Kryepiskopit Anastas dhe Aqipeshkvit George Frendo, të dy të infektuar nga COVID-19. Presidenti theksoi, se kombi shqiptar krenohet me harmoninë e shkëlqyer ndërfetare. Urime për shërim të shpejtë përcolli edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj.
Këtyre lutjeve iu bashkua edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Hirësia e Tij Bujar Spahiu, i cili u shpreh: “I lutem Zotit për shëndetin e klerikëve të nderuar të besimit ortodoks dhe katolik!” Mesazh të ngrohta dhe të përzemërta urimi për shërim të shpejtë ka pasur edhe nga Kryegjyshi i Komunitetit Bektashian, Hirësia e Tij Baba Mondi; nga Arqipeshkvi Mitropolitan i Shkodrës, Shkëlqesia e Tij Mons. Anxhelo Masafra; nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë etj.
Presidentja e Republikës së Greqisë, Shkëlqesia z. Katerina Sakellaropoulou, telefonoi Kryepiskopin Anastas dhe i uroi shërim të shpejtë dhe kthim në detyrat të tij të rëndësishme baritore. Kryepiskopi ka marrë urime edhe nga Ministri i Jashtëm i Greqisë z. Dendias, kryetari i Syrizas z. Cipras etj.
Një vizitë në spital i bëri Kryepiskopit edhe ambasadorja e Shqipërisë në Athinë zj. Luela Hajdaraga, e cila i shprehu Fortlumturisë së Tij Anastas gëzimin që po e takonte dhe që shikonte se ishte mirë. “Do t’ia çoj këtë mesazh gjithë shqiptarëve që ndodhen këtu dhe gjithë popullit shqiptar. Falënderojmë Zotin dhe ju kemi në lutjet tona”, tha ajo mes të tjerash. Kryepiskopi vlerësoi ambasadoren për interesimin dhe u shpreh se me ndihmën e Perëndisë i gjithë njerëzimi do të dalë fitimtar ndaj pandemisë.