Vijon operacioni policor “Perimetri”, ndërsa në pranga kanë rënë 3 persona, të cilët u kapën duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm. Burime zyrtare nga policia e Korçës bënë me dije se u arrestuan shtetasit e shpallur në kërkim me inicialet E. Z., 24 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll. Për të riun Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu po nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve me inicialet A. Sh., 41 vjeç dhe A. B., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas, janë kapur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në hyrje të qytetit të Bilishtit, duke transportuar me dy automjetet e tyre tip taksi, nga Tirana në drejtim të Kapshticës, kundrejt shpërblimit prej 100 euro, respektivisht nga 3 emigrantë të paligjshëm secili. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.