12 efektivë policie të drejtorisë vendore të policisë Shkodër kanë rezultuar si përdorues të drogës. Këto janë rezultatet që kanë dalë nga testi i bërë për përdorimin e lëndëve narkotike nga vetë Policia e Shtetit përmes klinikës Intermedicus.
Tashmë ky proces për të parë nëse mes radhëve të policisë ka përdorues droge ka nisur prej disa ditësh dhe ajo që pritet të ndodhë është që këta efektivë që rezultojnë pozitivë ndaj këtij testi mund të përjashtohen nga radhët e policisë.
Për policinë vendore të Shkodrës që përfshin gjithë qarkun, janë testuar, sipas burimeve, 80 punonjës policie, për të cilët ka dyshime ose indicie se mund të kenë konsumuar lëndë narkotike. Nga këta 80 të testuar, 12 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.
Pas këtij testi, sipas burimeve, mësohet se një pjesë e atyre që kanë dalë pozitivë në testin e drogës kanë një moshë mbi 50 vjeç, duke bërë që këto policë të kenë dyshime për vërtetësinë e testit apo përgjigjeve zyrtare që janë sjellë.
Në këtë mënyrë, mësohet se disa prej këtyre punonjësve të policisë pretendojnë se nuk kanë konsumuar kurrë lëndë narkotike në jetën e tyre, ndaj pritet që të bëjnë padi penale ndaj klinikës që ka bërë testet, si dhe nga ana tjetër pritet që të ritestohen vetë në disa klinika të tjera për të vërtetuar që ata nuk janë përdorues droge.
Këta efektivë policie, që e kundërshtojnë këtë test të drogës, thonë se janë thjesht duhanpirës, por jo përdorues droge, dhe kanë dyshime se kjo gjë mund të ndikojë te ky test, për të cilin nuk janë aspak dakord. Tashmë pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me 12 punonjësit e policisë vendore të Shkodrës, që kanë rezultuar si përdorues droge.