Një vit më parë, në një ngjarje shumë rëndë që tronditi vendin dhe shkaktoi protesta të mëdha, një i ri 25-vjeçar humbi jetën nga një plumb i dalë nga arma e punonjësit të policisë, Nevaldo Hajdaraj.
Sot janë njoftuar homazhe për këtë ngjarje ndërkohë që familja ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore për të nderuar birin e saj, ‘Dëshmorin e Atdheut’. Në një prononcim për mediat, babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha, tha se segmente të caktuara kërkuan ta bënin kriminel.
“Lus Zotin që t’ia kthejë në gëzime në familjet e tyre. Këtë tragjedi e kanë mësuar kudo në të gjithë botën. Mua më plagosi shpirtin. Dua që të shpreh mirënjohjen për secilin që ka shprehur interes ndaj familjes sime. Nuk ka qenie njerëzore që të imagjinojë që në vitin 2021 një prind të blejë gjakun e fëmijës së vet. Segmente të caktuara u munduan ta përbaltin figurën e djalit, duke tentuar ta bënin atë kriminel, duke i vendosur edhe armën në dorë”, tha babai.
Kujtojmë se autori i vrasjes, ish-efektivi i forcave ‘Shqiponja’ u dënua nga Gjykata e Tiranës me 15 vite burg, por ai do të kryejë vetëm vetëm 10 vite, për shkak se ka përfituar gjykim të shkurtuar duke iu ulur 1/3 e dënimit.
Nevaldo Hajdaraj vrau Klodian Rashën në orët e mëngjesit të 8 dhjetorit 2020, ndërsa e qëlloi nga një distancë prej 5 metrash largësi. Pamjet filmike kryesore të sekuestruara nga prokuroria e Tiranës, tregonin qartë veprimin e ish-policit, i cili duket se u pozicionua për të qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të personit që ai po ndiqte. Në filmim, sipas grupit të hetimit, dallohet se viktima është larguar me vrap. Ndërkohë nga një distancë shumë e afërt prej 5 metrash, ish-polici i pozicionuar i shtrirë në trotuar ka hapur dy herë zjarr drejt tij.
Hajdaraj u arrestua menjëherë, fillimisht me akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, por hetimet zbuluan se vrasja është bërë me dashje dhe se mund të ishte evituar. Vrasja e Rashës pasoi një valë protestash dhe tensionesh politike, duke çuar edhe në dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe në vendin e tij u emërua Bledi Çuçi. 25-vjeçari Klodjan Rasha u shpall Dëshmor, ndërsa familjes iu lidh pension i përhershëm.