Kryetari i PD, Lulzim Basha është përfshirë nga një valë akuzash nga kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca që ai drejton lidhur me akuzat e Gjykatës Speciale mbi ish-krerët e UÇK-së dhe rolit të tij si përkthyes pranë UNMIK asokohe.
Por sipas ish-kryeprokurorit të EULEX, John Clint Williamson, gjatë një interviste për RTV Ora tha se se akuzat ndaj liderit të opozitës në Shqipëri Lulzim si i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve, janë kategorikisht të pavërteta.
“Unë nuk dua të hyj në çështje të brendshme politike në Shqipëri ama sugjerimet se Lulzim Basha është i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve janë kategorikisht të pa vërteta. Kjo natyrisht është për kohë të ndryshme. Por në kohën që unë isha drejtues i gjyqësorit në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në 2002, Lulzim Basha punonte në zyrën time si ndihmës i posaçëm dhe oficer ligjor.
Kur ato akuza mu sollën nga një gazetar amerikan gjatë asaj kohe, ne zhvilluam një hetim paraprak, por nuk përparuam shumë në ketë çështje, pasi në atë kohë shumica e atyre akuzave ishin të bazuara në ngjarje që supozohej se kishin ndodhur në Shqipëri dhe ne nuk kishim autoritetin për të zhvilluar hetime aty. Për këtë gjë fola me kreun e misionit të OKB-së Michael Shiner dhe ai më autorizoi që t’ia kaloja informacionin Karla del Pontes, kryeprokurores së krimeve të rënda për ish-Jugosllavinë. Pra ata e morën çështjen. Por gjatë kohës që ne në UNMIK po kryenim verifikime, e përjashtova qëllimisht Luli Bashën që të përfshihej në hetim. Sepse, siç e thashë ai ishte një ndihmës ligjor pranë meje dhe nuk ishte prokuror.”– u shpreh Williamson.