Sot do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ish- lideri historik i Partisë Demokratike ka lajmëruar se ditën e sotme në orën 10 të mëngjesit do të zhvillojë Kuvendin Kombëtar, atë që kryetari i PD Lulzim Basha e quan miting.
Për një Parti Demokratike, më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar” është motoja e Berishës, i cili fton të gjithë demokratët të jenë prezentë në këtë Kuvend që sipas tij do të rithemelojë Partinë Demokratike.
Në stadiumin Air Albania, ka nisur edhe hyrja e delegatëve, të cilët po identifikohen njëri pas tjetrit. Aty është bërë ngritja e një podiumi, në të cilin do të mbajnë njëri pas tjetrit fjalën për rreth 5 orë ish lideri i PD dhe ish themelues të saj, delegatë dhe ata që u bënë pjesë e grupit që hartoi draft-statutin e ri. Në stadium, delegatët kanë zonën e tyre ndërsa pjesa tjetër e stadiumit do jetë e hapur për gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që duan t’i bashkangjiten punimeve të Kuvendit.
Ndërkohë, drejt Tiranës janë nisur delegatët nga Lezha, Elbasani dhe Korça, ndërsa ata të Sarandës kanë mbërritur në kryeqytet që mbrëmjen e djeshme. Ata shprehen njëzëri besimplotë për ndryshimet statutore, ndërsa mirëpresin drejtimin e ri që do ti jepet Partisë Demokratike.
Në nisje do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve në mënyrë elektronike, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e Berishës. Në Kuvend do të propozohen disa ndryshime statutore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh që iu bashkuan Sali Berishës, si Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi. Policia e Tiranës ka ndërmarrë masat për parandalimin e çdo incidenti, duke vendosur që dje mjete të FNSH dhe autobote me ujë para “Air Albania” dhe selisë së PD-së.
Ndërkohë, kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë në të njëjtën orë një festë brenda selisë së PD 31 vjetorin e themelimit të partisë.