TIRANË – Kuvendi i Partisë Demokratike, i mbledhur sot në Pallatin e Kongreseve, mbylli punimet pas më shumë se 7 orësh. Në këtë kuvend morën pjesë 5004 delegatë demokratë nga 7646 të konfirmuar. Punimet e tij u drejtuan nga Jemin Gjana.
Kuvendi i thirrur nga kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha miratoi shkarkimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga pozicionet drejtuese të partisë duke miratuar propozimin se çdo demokrat, i cili është shpallur “non grata” dhe preket nga ligji i dekriminalizimit, nuk duhet të mbajë funksione drejtuese në PD.
Gjithashtu, ky kuvend miratoi rezolutën e propozuar dje nga Kryesia e Partisë. Vendimi i 12 dhjetorit për shkarkimin e 12 anëtarëve të Kryesisë së PD-së u legjitimua nga Kuvendi i sotëm. Ndër të tjera, u miratua dhe krijimi i Aleancës Qytetare për Demokracinë, një organ bashkëpunimi me qytetarët. Vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-lideri historik Sali Berisha u anulluan të gjitha nga pjesëmarrësit në Kuvendin e thirrur sot nga kryetari Lulzim Basha.