TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën e fundit për këtë sesion parlamentar duke mbyllur kështu punën për gjysmën e parë të vitit të parë të kësaj legjislature. Duke marrë fjalën në Kuvend, Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga janari do të futet në fuqi statusi i ri për fëmijët e Republikës. Kreu i qeverisë u shpreh se fëmijët do të kenë të drejta simbolike dhe morale si dhe shtoi se do të jenë në këtë përkujdesje deri në moshën 18-vjeçare. Sipas Ramës ata do të përfitojnë ndihmë ekonomike deri në moshën 18-vjeçare, dhe në rast se ndjekin arsimin e lartë deri në moshën 25-vjeçare.
Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha, nga foltorja e seancës përmendi edhe njëherë ‘Trekëndëshin e Bermudës’, të cilin sipas Bashës, populli e njeh mirë dhe shtoi më tej se janë ata të tre, të cilët po e zbrazin këtë vend.
Sot pritet që maxhoranca socialiste të miratojë 4 ligjet e kthyera nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që kanë lidhje me buxhetin. Deputetët e PS-së do të votojnë pro ligjin e buxhetit të vitit 2022, ligjin e TVSH-së dhe ligjin për taksat kombëtare, të kthyera nga Presidenti Meta pa ndryshimet e kërkuara prej tij. Sot pritet të miratohet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2021 dhe ligji për zgjatjen e afatit për përfitimin e statusit “Investim strategjik” deri në 31 dhjetor 2023.