Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.
Mediu nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të çështjes së gjykuar. Më herët ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka deklaruar se do ta çojë çështje në Gjykatën e Strasburgut. Mediu ka theksuar se përgjegjësia e tij si ministër vinte nga vendimi i Këshillit të Ministrave.
Çështja ndaj ish-ministrit është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK. Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.
Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat. Në shpërthimin e madh që ndodhi në fabrikën e demontimit në Gërdec, më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.