Thonë se Roma nuk u ndërtua në një ditë, e kjo vlen dhe për katedralen “La Sagrada Familia” në Barcelonë. Këtë fundjavë, një yll me peshë 5 tonë u vendos mbi bazilikën e pambaruar të Kullës së re të Virgjëreshës Mari.
Ndërtimi i kësaj ndërtese madhështore nisi më 1882. Por pse u desh një kohë kaq e gjatë për ndërtimin e katedrales së Familjes së Shenjtë? Më poshtë, rrjedha e ngjarjeve që kanë penguar përparimin e punimeve.
1874: Nis fushata për ndërtimin e një godine të re fetare në Spanjë
Librashitësi Josep Maria Bocabella u kthye nga një udhëtim në Vatikan në 1872 i frymëzuar nga punimet madhore artistike të fesë katolike që mbizotëronin kudo nëpër qytet. Ai shpenzoi tetë vite duke bërë fushata e mbledhur fonde që edhe Barcelona të kishte një katedrale të re.
Duke përdorur njohjet e tij si një prej themeluesve të Shoqatës Shpirtërore të Barcelonës, Bocabella zgjidhi arkitektin Francisco de Paula del Villar për të rikrijuar një vepër arkitekturore frymëzuar nga stili neo-gotik i Europës. Hapi radhës ishte blerja e një tokë në lagjen barcelonase “Eixample”, çmim që në ditët e sotme do të kapte shifrën e rreth 1 mijë eurove.
Por vizioni i tyre i përbashkët qe jetëshkurtër, pas një sërë mosmarrëveshjesh mbi stilin e ndërlikuar të katedrales.
Bocabello kërkonte që La Sagrada Familia të ishte ndërtesa më e lartë në Europë. Nuk kaloi shumë kohë dhe u kuptua se projektit i nevojitej dikush që mund të punonte me kërkesat e koklavitura teknike dhe koston e lartë monetare. E vetmja gjë çka ngeli nga versioni origjinal i arkitektit ishte dhoma e nëndheshme godinës, ndërsa Bocabella vijoi në misionin e tij, të gjente dikë me ëndrra po aq të mëdha sa të tijat.
1882-1884: Gjendet toka dhe shtrohen themelet, prezantimi me Antoni Gaudi
Ambicia e shfrenuar e Antoni Gaudit e çoi projektin në një dimension krejtësisht të ndryshëm në vitin 1882, një vit pasi u shtrua guri i themelit nga Peshkopi Urquinaona.
Si arkitekti kryesor, ai e ri-imagjinoi bazilikën si një objekt me përmasa gjigande, frymëzuar nga vetë natyra dhe lakimet e “Art Nouveau”, me 12 kulla, një për secilin prej dishepujve. Kur ajo çka ai kishte në letër do të vinte në jetë, Sagrada do të behej kulla më e lartë katolike në Europë. Por Gaudi e dinte fare mirë se kjo nuk qe një punë e lehtë dhe shpesh thoshte se nuk do arrinte kurrë ta shihte veprën e tij të përfunduar.
Pjesën më të madhe të kohës ai e shpenzoi duke vizatuar modele të detajuara 3D, ndryshe nga skicat tradicionale të kohës, në mënyrë që cilido ta trashëgonte projektin pas tij ta kishte të qartë se si do të duhej të dukej projekti i përfunduar.
Kur e pyetën njëherë Gaudin nëse kjo do të përbënte problem për vizionin e tij, ai u përgjigj: Klienti im (Zoti) nuk e ka me ngut”.
1926: Gaudi vdes në një aksident tragjik
Pasi iu dedikua Katedrales për 43 vite, Antoni Gaudi u përplas nga një tramvaj teksa po shkonte në Kishë për t’u rrëfyer, një rit i tij i përditshëm.
Gaudi arriti të shihte vetëm një prej kambanoreve ikonë të hapësirës së shenjtë e cila kishte përfunduar rreth një vit më parë, pasi vetëm 20 për qind e bazilikës ishte përfunduar në kohën kur ajo humbi krijuesin e saj.
Vdekja e tij pezulloi plotësisht punimet për më shumë se një dekadë.
1936: Vritet stafi, shkatërrohen modelet e Gaudit gjatë Luftës Civile
Gjatë Luftës Civile në Spanjë, anarkistët mësynë zyrën e Gaudit. Ata shkatërruan modelet, dogjën dokumente me planet e projekteve si dhe dhomën e nëndheshme të kishës.
12 punëtorë të kishës humbën jetën gjatë luftës, ndërsa pjesa tjetër e ekipit të La Sagrada Familia rrekej të shpëtonin ç’të mundte, ngjarje të cilat pezulluan punimet deri në fund të luftës, në vitin 1939.
1938: George Orwell kritikon ashpër projektin
Shkrimtari i mirënjohur britanik George Orwell vizitoi La Sagrada Familia në një periudhë kur punimet ishin pezulluar prej kohësh.
Ai e përshkroi katedralen si një prej “godinave më qesharake në botë”.
“Ndryshe nga shumica e kishave në Barcelonë nuk ishte dëmtuar gjatë revolucionit – e lanë për shkak ‘vlerave artistike’ thonë. Unë mendoj se anarkistët treguan që nuk kanë aspak shije përderisa nuk e hodhën në erë kur iu dha mundësia”, thoshte Orwell.
1939-1986: Ndërrim i shpeshtë i arkitektëve dhe probleme me financimin
Punimet vazhduan gjatë diktaturës së Francisko Frankos në Spanjë.
Franko nuk shfaqi ndonjë interes të madh për La Sagradën, por nga ana tjetër nuk kishte shumë çfarë të bënte. Gaudi kishte këmbëngulur që kisha të financohej nga komuniteti katolik spanjoll. Katër arkitektë të ndryshëm morën përsipër projektin gjatë kësaj kohë: Francesc de Paula Quintana në 1939, Isidre Puig i Boada dhe Lluís Bonet i Garí në 1966, Francesc Cardoner i Blanch në 1983, dhe Jordi Bonet i Armengol në 1985. Momenti i parë që iu dha spanjollëve një ndjesi të vërtetë sesi do të dukej produkti final erdhi në 1976, me përfundimin e kullave kambanore që shoqëronin Fasadën e Pasionit të Gaudit.
2007: Plani i qeverisë për të ndërtuar tunel nëntokësor poshtë kishës pritet me polemika
Shpallja Trashëgimi Botërore e UNESCO në 2005, ishte një rreze drite në fund të tunelit për 200 të punësuarit në ndërtimin e La Sagrada Familia.
Por kjo deri në momentin që qeveria shpalosi një projekt ku paraqiste planin për të ndërtuar një linjë hekurudhore nëntokësore aty ku ishin dhe themelet e kishës thuajse 100-vjeçare. Kjo vuri në pikëpyetje pasojat që do të mund t’i sillte strukturës së godinës, por me kaq shumë punë ende për t’u bërë, kjo ishte gjëja e fundit që arkitektët dhe inxhinierët kishin nevojë. Ndërtimi i hekurudhës nisi në 2010, pasi zyrtarë të qeverisë ngulmuan se tunelet nëntokësorë nuk do të pengonin punën e deritanishme.
2010: Shenjtërimi nga Papa Benedikti XVI
Papa Benedikti XVI vizitoi La Sagrada Familia në 2010 për ta shenjtëruar si bazilikë zyrtare. 6,500 persona morën pjesë në meshë, ndërsa me dhjetëra mijëra të tjerë e ndoqën ceremoninë në rrugët e qytetit. Rreth 15 vite më parë, pjesa e brendshme e kishës nuk kishte çati por qëndronte midis dy fasadave dhe tetë kullave kambanore, njëra që i ngjasonte një kështjelle ranore, ndërsa vepra tjetër ishte frymëzuar nga rryma e kubizmit.Një strukturë e posaçme u mbivendos në navatën kryesore në mënyrë që të mbaheshin shërbesat fetare. Por si çdo zvarritje tjetër që e ka karakterizuar historinë e kishës, edhe mbajtja e meshave kërkoi 7 vite të tjera. Në ditët e sotme, La Sagrada Familia është e hapur për vizitorët çdo të diel nga ora 9 e mëngjesit.
2019: Punimet pritet të mbarojnë në 2026, pas miratimit të lejeve të reja
La Sagrada Familia sot është aq e vjetër, saqë pjesët e përfunduara në fillim të shek. XX sot duhet të riparohen. Në këtë fazë, qeveria spanjolle ka nisur të nxisë zhvilluesit e projektit për të tërhequr më shumë fonde financiare, duke kërcënuar se nëse projekti nuk do të kishte licencë, punimet do të pezulloheshin plotësisht. Në 2017, UNESCO mundësoi €37 milionë për të blerë lejen e mbikëqyrjes, por qeveria këmbënguli që duheshin edhe garanci të tjera që siguronin se plani do të çohej përpara nga ajo ditë e tutje.
Kësisoj, u miratua një leje 7-vjeçare, ndërsa data e përfundimit të punimeve u vendos për në vitin 2026. Nëse punimet do të përfundojnë sipas afateve, data do të përkojë me 100-vjetorin e vdekjes së Gaudit. Por ky qe plani përpara se COVID-19 të pushtonte Europën rreth dy vite më parë.
2021: Ku jemi sot?
Projekti po ecte shumë mirë deri në momentin e pandemisë. COVID-19 ndaloi plotësisht punimet në strukturë, hera e parë që prej Luftës Civile në Spanjë.
Pezullimi i punimeve për disa muaj me shumë të ngjarë do të shtyjë afatet, teksa skuadra përpiqet të nxitojë për të fituar kohë nga terreni i humbur. Rreth 20 milionë persona vizitojnë zonën në vit për të admiruar pjesën e jashtme të kishës, ndërsa 4 milionë paguajnë biletën 26 euro për të parë dhe pjesën e brendshme. Profecia e Gaudit doli e vërtetë – ai nuk do ishte i gjallë në momentin kur projekti do të kishte ardhur plotësisht në jetë.