Moti i keq ka përfshirë vendin ditën e sotme. Kjo e hënë ka sjellë reshje të dendura shiu në të gjithë vendin, ndërsa po ashtu priten reshje dëbore në zonat verilindore dhe juglindore.
Sipas MeteoAlb, moti i keq do të vijojë deri mëngjesin e ditës së nesërme. Sa i përket temperaturave, është regjistruar një ngritje e lehtë në mëngjes, por pritet të ketë ulje temperaturash gjatë orëve të mesditës.
Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, momentalisht nuk paraqiten probleme në vend.
“Vijon ndikimi i masave ajrore të ngrohta, por të pasura me lagështirë me origjinë jugore në vendin tonë, duke bërë që moti të jetë me vranësira, reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, por dëborë në zonat verilindore dhe juglindore. Herë pas here do ketë pauza të reshjeve. Këto kushte të motit vijojnë gjatë natës dhe deri mëngjesin pasardhës. Temperaturat e ajrit rriten gjatë mëngjesit por ulen lehtë gjatë orëve të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 1°C deri në 18 °C. Era do të fryjë mesatare me shpejtësi 45 km/h Jugor – Jugperëndimor duke gjeneruar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë”, njofton MeteoAlb.