TIRANË – Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka mbledhur sot në një takim shoqatat e biznesit, të cilat kanë kundërshtuar strategjinë e qeverisë për të detyruar daljen në treg të lirë për blerjen energjisë. Balluku është shprehur se tregu i lirë nuk ka çmime ndaj nuk kanë vlerë kërkesat.
Sipas Ballukut, janë disa kushte të kërkuara nga BE në kë drejtim që është e rëndësishme që të plotësohen, ndërkohë që, në lidhje me kërkesat e bizneseve Balluku tha se do të diskutohet sërish javën e parë të qershorit
“Kemi një situatë emergjence energjitike në të gjithë botën dhe jo vetëm në Ballkan ajo që është më e rëndësishme është mbrojtja e konsumatorit. Ju kërkoni çmimet dhe flisni për një treg të lirë që nuk ka çmime. Çdo gjë ka lindur në kuadër të ligjit dhe në kuadër të përafrimit që ne kemi ky është një ligj i përafruar me atë të perspektivës së BE-së. Të gjithë abonentët që funksionojnë në treg të lirë nuk mund ti drejtohen ministrisë, kryeministrit apo ndërmarrjeve të ndryshme shtetërore. Sipas afateve të përcaktuara ju keni qenë të njoftuar dhe unë shpresoj që të jeni të informuar dhe nuk u zgjuat një ditë. Ato që janë të lidhur në tensionin e mesëm rreth 7 mijë e 440 biznese. Jemi me vonesë një 5 vjeçar për të përmbushur kushtet e BE-së , pasi ka një debat publik mes vendit dhe sekretariatit të energjisë. Detajet në lidhje me të gjithë ndryshimet dhe mundësitë në tregun e lirë do të diskutohen javën e parë të qershorit për të vënë në dukje dhe në zbatim çdo gjë. Duke bërë që të keni dhe një tranzicion të butë në tregun elektrik”,ka thënë Balluku në këtë takim.
Takimi në fjalë mes ministres dhe bizneseve, është bërë për të gjetur një zgjidhje për këtë kategori. 11 shoqata biznesi kërkojnë nga qeveria që të rishikojë vendimin pasi një skemë e tillë do rriste shumë kostot e tyre dhe për pasojë dhe rritjen e çmimit të produkteve që hedhin në treg këto biznese.