TIRANË – Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u bëri apel qytetarëve që të respektojnë protokollet shëndetëore për festën e ndërrimit të viteve, për të cilën është vendosur heqja e orës policore. Në takim me mjekët e Spitalit Infektiv, Manastirliu shtoi se ruajtja e shëndetit nuk është përgjegjësi vetëm e institucioneve, por dhe e qytetarëve. Ajo kërkoi nga qytetarët që të tregojnë kujdes në festat e organizuara në ambjentet e mbyllura dhe familje.
“Është e rëndësishme thirrja për të gjithë qytetarët që në këto ditë festash duhet të tregohemi të kujdesshëm, të kujdesshëm për të ruajtur dhe për të zbatuar protokollet që ne kemi, të kujdesshëm për të mos mundësuar qarkullimin e COVID brenda ambienteve të mbyllura dhe duke siguruar që edhe në festat e vogla familjare që do të kemi në datën 31, të mundet që të jemi të vaksinuar dhe të garantojmë që askush të mos preket nga kjo sëmundje. Kjo është një përgjegjësi patjetër e institucioneve por është edhe një përgjegjësi individuale, është një përgjegjësi morale, është një përgjegjësi qytetare, është një përgjegjësi e shoqërisë në mënyrë që të ruajmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin e njëri-tjetrit dhe të mbrojmë në tërësi shëndetin e gjithë qytetarëve tanë”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Më tej, Ministrja tha se sistemi shëndetësor në vend është në gadishmëri të plotë për kryerjen e vaksinimit.
“Askush nuk ka dëshirë që ne të kemi rritje të rasteve të infektimit. Por këtë e kemi në dorë të gjithë së bashku për ta frenuar. Sistemi shëndetësor është në këmbë nëpërmjet gjithë rrjetit të vaksinatorëve për të mundësuar pikërisht vijimin e vaksinimit dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.