Klubi i PSG konfirmoi dje se Lionel Mesi ishte një nga katër lojtarët që kishin rezultuar të infektuar me COVID-19 pas testeve që u ishin bërë në ditën e parë të vitit të gjithë lojtarëve. Një lajm i cili shqetësoi tifozët e shumtë të argjentinasit dhe bëri që në vendlindjen e tij të gjithë të kthenin sytë nga DJ i njohur, Fer Palacio.
Ky i fundit kishte marrë pjesë në një event ku u shpërndanë çmime për personat më të ndjekur në Twitch gjatë vitit 2021. Por pas kësaj shfaqej u bë e ditur se kishte pasur disa raste me COVID-19 mes të ftuarve.
Për fatin e keq të DJ argjentinas, ai zgjodhi të mos izolohej pas kësaj ngjarje si kontakt i mundshëm i të infektuarve, por mori pjesë në evente të tjera dhe mes tyre ishte edhe festa e fundvitit ku ishte i pranishëm edhe Lionel Mesi. Kaq mjaftoi që në rrjetet sociale të shpërthente indinjata kundër tij dhe tifozët ishin të bindur se ai kishte infektuar sulmuesin.
“Sa u zgjova nga gjumi më dërguan një mori mesazhesh, jam bërë trend në Twitter vetëm se Mesi rezultoi pozitiv me COVID dhe mendojnë se e infektova unë. Më kanë dërguar edhe mesazhe me fjalët “vrasës”, një valë e madhe urrejtje. Bëra testin se më duhet të udhëtoj për në Uruguai dhe ju them se nuk kam COVID”, shkroi ai në rrjetet sociale duke publikuar më pas edhe fotot e testit që kishte kryer dhe që e nxirrnin negativ./ Panorama Sport