TIRANË– Mbrëmja e kaluar e 4 janarit ka shënuar viktimën e parë për vitin 2022 si rezultat i një vrasjeje kriminale.
Shënjestër e këtij atentati mafioz mendohet të ketë qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por viktimë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur vëllai i tij, 35-vjeçari Erion Çela nga Dibra, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, si edhe 4 persona të tjerë. Që do të thotë, përveç Çelës, i cili ka marrë plagë në këmbë dhe në fytyrë, kanë mbetur të plagosur edhe Edmond Crroj 41 vjeç, daja i viktimës, Azbi Selimaj 19 vjeç kamarier i lokalit i cili ka marrë plagë në shpatull dhe Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë.
Kush ishte viktima?
Viktima Erion Çela, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, por nga sa mësohet ai nuk rezulton të jetë një person me precedent penal. 35-vjeçari do të bëhej së shpejti babi i një vajze. Çela është pronar i një tabakino (dyqan cigaresh) që e kishte hapur vetëm 6 muaj më parë.
Bëhet me dije se viktima me 4 të plagosurit ishin duke konsumuar një kafe në lokalin ‘New Focus Lounge’ në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë. Rreth orës 16:15, autorët që dyshohet se kanë qenë 3, kanë ardhur nga spitali i Traumës drejt lokalit me një makinë tip Mercedez Benz E-Class me targa AA 125 UK i zi. Ata kanë qëlluar nga makina në lëvizje me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku ishte ulur viktima dhe personat e tjerë dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.