Kjo e mërkurë, 5 janar 2022, është afati i fundit që Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i ka lënë Lulzim Bashës për të liruar selinë blu. Ndërkohë vetë Basha në daljet e tij ka thënë që asgjë nuk do të ndodhë më 5 janar. Teksa përplasjet brenda partisë më të madhe të opozitës shtohen, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë paralajmëruar protestë përpara selisë së Partisë Demokratike të shtunën më 8 Janar në rast se Lulzim Basha nuk largohet nga zyra.
Nga ana tjetër, Basha u shpreh se është hera e parë që një lider thërret protestë kundër partisë së tij. Kujtojmë se më 23 Dhjetor 2021, nga selia blu Komisioni i Rithemelimit i kërkoi Lulzim Bashës që të dorëzojë detyrën dhe të lirojë zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, pas referendumit të 18 Dhjetorit 2021 që votoi për shkarkimin e Bashës si kryetar i PD.