Duke u nisur nga disa ngjarje kriminale të shënuara në vend këtë fillim viti 2022, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka mbledhur në një takim drejtuesit e policisë në qarqe. Temat e diskutimeve pritet të jenë prioritetet e policisë përgjatë vitit që sapo ka nisur, si dhe pika ku ndodhen hetimet për një sërë ngjarjesh kriminale të pazbardhura. Nano gjatë takimit do t’i njohë drejtuesit e qarqeve me objektivat që ai ka. Përparësi në takim por edhe në udhëzimet që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të japë janë lufta ndaj kultivimit të drogës dhe krimet kundër jetës.
Kujtojmë që pasditen e djeshme në Tiranë u shënua viktima e parë për vitin e ri, pas një atentati të organizuar që la edhe katër të plagosur rëndë. Po ashtu, së fundmi një kontenier me 119 kg drogë është zbuluar në magazinën e një kompanie në Tiranë. Në qytetin e Vlorës ka ndodhur një atentat me tritol, e gjithashtu është shënuar një plagosje në Shkodër e një tjetër në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë.