Dukesha e Sussex Meghan Markle do të dëmshpërblehet me 1 paund nga kompania Associated Newspapers, pasi gazeta Mail on Sunday humbi gjyqin.
Padia ishte ngritur pasi gazeta kishte ndërhyrë në privatësinë e dukeshës. Shuma është përcaktuar në dokumentet e gjykatës, e cila formalisht konfimoi se gazeta ka pranuar humbjen.
Mail on Sunday publikoi kohë më parë një letër me shkrim dore që Meghan i kishte dërguar babait të saj Tomas Markle në vitin 2018. Kompania mediatike gjithashtu do të paguajë një shumë të papërcaktuar për një rast të veçantë të shkeljes së të drejtës së autorit.Kompania njoftoi më herët se po shqyrtonte një apel të mëtejshëm në Gjykatën e Lartë, por tashmë pranoi se e ka humbur çështjen.
Korrespondenti mbretëror Sean Coughlan tha se shuma 1 paund mund te tingellojë e çuditshme, por ambicia e madhe e Meghan kishte të bënte me parimin dhe jo me shpërblimin. Avokatët e saj kishin deklaruar para dhënies së vendimit se ata kërkonin vetëm një dëmshpërblim simbolik për shkeljen e privatësisë. Në deklaratën e saj të lëshuar pas vendimit, dukesha u bëri thirrje njerëzve që të guxojnë dhe të ngrenë zërin ndaj industrisë së tabloideve, që nuk duhet të përfitojë nga gënjeshtrat dhe dhimbja e njerëzve.